Thursday, May 22, 2014

Urrejtje dhe pro familjes?!

Mesa duket sllogani “Thuaj Po dashurisë” i këtij 17 Maji, që përkujton vendimin historik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të hequr homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve mendore, dhe rritja e vizibilitetit dhe pranisë së kauzës LGBT në shoqërinë shqiptare, ka prekur telat e homofobëve dhe individëve të tjerë të cilëve urrejtja u ka errësuar krejt logjikën dhe arsyen.

Edhe pse lëvizja LGBT i ka bazat te fakti që persona të këtij komuniteti vuajnë përjashtimin dhe dëbimin nga familja, pikërisht për shkak të diskriminimit dhe urrejtjes, këta njerëz dalin si pionerë të mbrojtjes së “familjes” dhe “vlerave të shëndosha” të kombit, pa qenë të aftë të artikulojnë se çfarë janë këto vlera, dhe si mundet një qytetar LGBT ti shkelë ato e të shkojë kundër tyre. Po, të pyesim njëherë, fakti që shoqëria shqiptare ka 24 vite që po vuan në mënyrë makabre shifra të larta divorci, dhune ekstreme fizike dhe emocionale, që zakonisht i paguajnë gratë dhe fëmijët, edhe për këto, fajet i kanë personat LGBT?

Këta pseudo-intelektualë nuk i ka dëgjuar kush të ngrejnë qoftë edhe gishtin për sistemin e cfilitur të drejtësisë dhe mbrojtjes së grave dhe fëmijëve nga dhuna, që edhe sot bredhin gjyqeve dhe rajoneve të policisë të traumatizuar dhe dhunuar në vetë gjirin e familjes së tyre. Këta pseudo-intelektualë, janë zakonisht të parët që ulen dhe “studiojnë” materiale që nga titulli lexojnë “përse homoseksualiteti është sëmundje” të gatshëm për të përkëdhelur dhe masturbuar sedrën, homofobinë dhe mosrehatinë e tyre personale si me seksin dhe gjininë e tyre ashtu edhe me ato të të tjerëve.

Këta pseudo-intelektualë kanë vuajtur bulizëm sepse dikur dikush ju ka thënë gej kur shkonin në shkollë, kanë qenë të shtypur në familjet e tyre, sepse puthjen e parë dhe emocionin e parë që kanë marrë nga dashuria e kanë ndarë vetëm me ditarët e tyre, të tmerruar se nëse do e merrte vesh dikush do i damkosnin si kurva dhe vagabondë. Këta pseudo-intelektualë lexonin fshehurazi Cvajgun, Oskar Wilde,  Floberin e të tjerë autorë perëndimorë, duke i trafikuar librat si të ishin armë shkatërrimi në masë, dhe sot këta kanë frikë nga e vërteta dhe nga realiteti që i rrethon.

Familja shqiptare, të nderuar “intelektualë” sedërllinj dhe  të panikosur, nuk po shkatërrohet dhe nuk është në krizë prej personave LGBT. Është hipokrizia e shoqërisë patriarkale dhe pa-aftësia e saj për tu njohur me realitetin dhe të vërtetën që po dëmton familjen, atë familje që ju e quani të shëndoshë, por  vetëm shëndoshë që nuk është.

Që ta dini ju të dashur intelektualë, personat LGBT në Shqipëri e në botë, nuk e kanë fare me qejf të jetojnë në cepat e shoqërisë, të përjashtuar në kopshte, shkolla, fusha sporti, mjedise pune dhe familje. Asnjë person nuk e ka me qejf ti mohoet dashuria familjare, shoqërore dhe kombëtare, për një “kapriçio” apo punë qejfi. Nëse do të ishte punë qejfi, njerëzit do e bënin atë me apo pa lejën tuaj, dhe do vazhdonin të jetonin në anonimitet për qejf të tyre. Kështu edhe ju do ishit shumë të qetë dhe të lumtur, dhe do vazhdonit të lexonit për Sodomën dhe Gomorrën si një luftë e fituar. Por ja që realiteti nuk është kështu. Ai realitet që ju me forcë e kundërshtoni, është fytyra e vërtetë e njerëzimit. Personat LGBT që kanë kaluar orë, muaj dhe vite vuajtje janë zgjuar nga gjumi dhe letargjia, dhe kanë folur me zemër të hapur e ndërgjegje me psikologë, mjekë, politikanë, shkencëtarë, prindër, miq dhe aktivistë. Ngadalë ata kanë mundur të njihen nga shoqëria që i rrethon si njerëz të zakonshëm, krejt normalë dhe të mërzitshëm me hallet dhe problemet e tyre, me dhimbjet e tyre të dhëmbëve, me hallin e notave të provimeve, me ankthin e puthjes së parë, me frikën nga tërmetet, me mallin për vëllain larg në mërgim e me të gjitha emocionet e tjera humane, të shenjta e të pastra nga të cilat ju me një energji të pakuptueshme doni tua hiqni.

Synimi juaj i çmendur është ti portrezitoni qytetarët LGBT si ca psikopatë të degjeneruar që bëjnë seks shkurreve, që hanë fëmijë dhe flasin me djallin, por ja që nuk është fare kështu. Personat LGBT, janë njerëz si gjithë të tjerët, të mërzitshëm, të zgjuar, budallej, të pasur, të varfër, të shkurtër, të gjatë dhe nuk kanë asnjë veti mbinjerëzore për tu krahasuar me ju. Rrjedhin gjak nëse u hap trupin, qajnë nëse i lendon, buzëqeshin nëse u fal dashuri.

Ju nuk do e kuptoni asnjëherë se sa shumë dëm dhe dhimbje shkakton urrejtja juaj, se sa plagë të pashëruara ajo hap në zemrat e shumë njerëzve që vazhdojnë të jenë të pa-aftë të jetojnë plotësisht jetën e tyre, të afirmohen në shoqëri, të shprehin dashurinë e tyre, të flasin për veten e tyre në mënyrë të çlirët që edhe ju të kuptoni se nuk vijnë as nga Hëna e as nga Marsi por janë fëmijë nënash e baballarëssh ashtu si ju, që gjeni kohë nga koha juaj e artë dhe e shenjtë të merreni me ta.

Shumë prej jush thoni se keni miq homoseksualë. Realisht po keni, madje edhe më shumë nga çmund të mendoni, por shumica e këtyre miqve tuaj homoseksualë jetojnë në dollap, vuajnë ende nga homofobia e tyre, janë ende të pa-aftë të pranojnë veten për atë çka janë, dhe vazhdojnë të mblesërohen në martesa heteroseksuale në mënyrë që ju ti lini të qetë e ata të vazhdojnë të jenë këngëtarë, prezantues, artistë, mjekë, politikanë, biznesmenë dhe njerëz të tjerë të shquar. Pastaj, pavarësisht këtyre martesave dhe atyre fotove të bukura pushimesh nëpër vende përrallore, ju dëgjoni se ai shoku gej dhe ajo shoqja lezbike, që janë të futur në martesa heteroseksuale, nuk na qënkërkan kaq të ndershëm, dhe se vazhdojnë të bëjnë jetë të shthurura dhe të kenë lidhje homoseksuale. Po pse çfarë prisni ju? Mendoni se ka njerëz me këllqe dhe kurajo të flasin për identitetin e tyre seksual dhe gjinor kur lexojnë peticione psikopate si ato që nënshkuani ju? Kështu, në mbrojtje të familjes, në fakt ju nuk bëni asgjë tjetër veçse u mohoni personave LGBT të drejtën që TA GËZOJNË TË DREJTËN E FAMILJES, për të hyrë edhe ata në lidhje të shëndosha, të vërteta dhe njerëzore, që të mos kenë kështu nevojë të pallohen kopshteve apo në dhoma hotelesh.

Ju mendoni se i dini arsyet përse dikush është homoseksual apo transgjinor, por në fakt nuk ia keni fare haberin. Pjesa më e madhe e urrejtjes dhe frikës suaj vjen nga vetë frikërat dhe perversionet tuaja, nga veprimet e juaja amorale dhe të pista, nga pislliqet që keni bërë duke tradhëtuar gratë dhe burrat tuaj, nga fobia dhe urrejtja që ju keni për monogaminë tuaj dhe për partnerët tuaj respektivë, dhe kështu doni ta shkarkoni atë urrejtje dhe atë mllef mbi njerëz që nuk kanë as autorësi dhe as përgjegjësi për veprimet tuaja. Krimi i tyre i vetëm është sinqeriteti i të pranuarit të realitetit për atë që është, në mënyrë që të mos jetojnë në hije, dhe të mos jetojnë kundër familjes e të mos ekzistojnë kundër shoqërisë.

Ju mendoni se të jesh LGBT është zgjidhje? Të dashur intelektualë, (duhet të ve thonjza sipër e di, por ju edhe kështu e keni sedren telef), zgjidhje është të shkosh te Kolonat ose tek Big Bite, ti lyesh flokët të verdha ose të kuqe, të pish verë të bardhe ose të kuqe. Zgjidhje nuk është të ndjesh për dikë emocione të forta njerëzore dhe humane dhe të tërhiqesh dhe dashurohesh në mënyrë respektive.

Homofobia dhe urrejtja juaj buron nga fakti i thjeshtë se ju nuk ja keni haberin fare që dy njerëz të gjinisë së njëjtë kanë ndjenja për njëri-tjetrin, që duan të kujdesen për njëri-tjetrin, që mund të duan edhe të vdesin me njëri-tjetrin. Halli juaj pervers dhe  tejet i shemtuar është se kush është “burri” dhe kush është “gruaja” në shtrat. Kush ia fut kujt, si ia fut dhe sa herë ja fut… Pa harruar fare se ju nuk ju shkon fare ndërmend se dy femra lezbike mund te jene shume te lumtura me njera tjetren dhe se nuk ju duhet asnje mashkull per tju dhene kenaqesi. Ju e keni hallin tek akti seksual, tek anusi, penisi dhe vagina. Këto janë shqetësimi juaj kryesor, dhe frikën e madhe e keni pikërisht te marrëdhënia e pashëndoshë dhe jo realiste që ju keni me organet seksuale. Kush do ketë ndonjehere kurajon tua thotë se janë thjesht anuse, penise dhe vagina? Se nuk janë gogolë dhe se nuk kafshojnë? Kush do tjua thotë ndonjëherë se vlerat morale të shoqërisë nuk kalibrohen duke u marrë me jetët private të njerëzve dhe se si ata i perdorin keto organe, por me sjelljen e tyre në shoqëri, me aftësinë e tyre për të kontribuar në jetë, për të bërë gjithçka, gjithçka, gjithçka, ashtu siç e bëni edhe ju?

Ju mendoni se homoseksualiteti është devijim mendor?  Kjo nuk e di nëse merriton përgjigje, por duke patur parasysh homofobinë tuaj të sëmurë, mendoj se e do një shpjegim. Devijim mendor është të shtypësh ndjenjat dhe emocionet e tua. Devijim mendor është të jetosh për të tjerët dhe të bësh sikur je hetero dhe të pelqen seksi i kundërt. Devijim mendor është të urresh njerëz vetëm sepse ata nuk kanë të njëjtat shije seksuale si ti. Devijim mendor është të rrefuzosh të njohësh realitetin për atë që është vetëm e vetëm për të ushqyer një ego të sëmurë dhe të çmendur.

Kur shkruani peticione, ju lutem na thoni. Kështu unë të paktën do t’ju bëja një listë shumë të gjatë: peticion për romët që jetojnë barakave, për fëmijë të vegjël që prostituohen dhe lypin rrugëve nga tutorë kriminele, mbi të cilët ju intelektualë dhe bosa ecni çdo ditë dhe normalisht nuk jua kap syri se i keni xhamat shumë të errët dhe ndjeshmërinë shumë të lartë, peticion për qindra gratë e dhunuara dhe të përdhunuara në Shqipëri, për fëmijët e ngujuar nga çmenduria nëpër kulla prehistorike, peticion për gjithë burimet natyrore dhe minerare që Shqipëria (si republikë banana që është) po ia fal botës, peticione për vajzat e rrëmbyera në Nigeri etj etj etj.

Ju dëshironi të ndërtoni një guaskë të qelqtë imagjinare, ku të gjithë do jemi heteroseksuale, ateistë, shqiptarë, me flamurin kuq e zi ne shpatull, dhe të brohorasim të gjithë Shqipëri. Do marrim kalamajat tonë të vegjël e do i shëtisim të parku, do shkojmë për pushime në bregdet e do pleqërojmë së bashku duke parë “E diela shqiptare”. Ju nuk pyesni asnjëherë çfarë po i ndodh ekzistëncës humane, se çfarë po i ndodh shpirtit dhe inteligjencës kolektive, për format e komplikuara, sublime dhe të shenjta me të cilat njerëzit po lidhen me njëri-tjetrin, sesi ata po i kapërcejnë kufijtë, po takohen e po flasin dhe po ndërtojnë një të ardhme më të ndritur e më të begatë për të gjithë njerëzimin. Mendja dhe fokusi juaj është vetëm tek apokalipsi, vdekja dhe shkaterrimi sepse aq të ndrydhura dhe të dhunuara i keni ekzistencat tuaja.

“Thuaj Po dashurisë” ju lëndon dhe pengon pa masë, sepse urrejtja juaj, ju ka verbuar shikimin, shurdhuar dëgjimin dhe ngurtësuar zemren.