Thursday, January 22, 2015

Deklaratat e Solis, misogjenike dhe homofobike



Shpesh jemi mesuar te shohim e degjojme sjellje e komente skandaloze ne mediat shqiptare. Ne fakt shohim e degjojme aq shume saqe debatet dhe diskutimet e zakonshme, qe i permbahen nje fare etike dhe norme na duken te merzitshme. Por qe te degjosh ne nje "pakete te veme" komente homofobike dhe misogjenike me nje grup personazhesh publike, kjo nuk eshte se te ndodh perdite. Keshtu ishte  debati televiziv në programin “E Diell”, rubrika “Horizonte” i dates 4 Janar në kanalin Top Channel, me protagonist Z. Leonard Solis, ish Ministër i Shëndetësisë në vitet 2003-2005 dhe aktualisht Anëtar i Kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut njëkohësisht edhe Drejtor pranë Spitalit Hygiea në Tiranë.

Në këtë rubrikë ishte ngritur çështja nëse femrat janë “mollë sherri” (pra objekt luftrash fitimtare mes meshkujve superiorë), apo nëse ky është thjesht një mit. Vetë pyetja do ishte e përshtatshme për një grup adoleshentësh 12-13 vjeçarë të cilët do duhet ta diskutonin këtë çështje në kuadër të edukatës qytetare dhe barazisë gjinore. Por vetë debati përforcoi më tej stereotipet gjinore, seksuale dhe klasore që lënë në pozicione të disfavorshme shumë gra dhe persona LGBT në këtë vend e kudo tjetër.

Ajo që beri me shume përshtypje ishte komenti Z. Solis, i cili ndër të tjera duke folur per të ashtuquajturat “ndryshime” mes meshkujve dhe femrave thotë: “…janë kaq të ndryshëm [meshkujt dhe femrat] saqë është krijuar një hendek shumë i madh që është mbushur nga pederastët”. Këtë shprehjen e fundit “e rregullon” pasi një nga pjesëmarrëset në debat i thotë se kjo shprehje është diskriminuese. Z. Solis vijon duke thenë “...më fal homoseksualët.” Nuk e dimë nëse duhet ta quajmë Doktor, por me siguri që në atë panel vetëm si doktor që nuk dukej. Z. Solis këputi çfarë i erdhi për mbarë jo vetëm për të ashtuquajturat ndryshime mes femrave dhe meshkujve, por për ta pasur më të qartë “idenë e tij” iu desh të gjente ca “gjysëm burra-gjysëm gra” që ti vendoste në mes, për të zbutur këtë hendekun e madh. Me siguri sipas Z. Solis “pederastët” janë këto zbutësit e dallimeve burrë-grua, pajtuesit e martesave dhe fejesave apo ku ta dimë se çfarë tjetër. Me siguri sipas Solis, burrat gej janë gra që kanë lindur në trupa burrash. Është skandaloze që një mjek si ai nuk arrin të bëjë dot dallimin midis identitetit gjinor dhe orientimit seksual dhe që i përplasi gjithë paragjykimet dhe stereotipet e tij në opinion pa iu dridhur qerpiku.

Ky zhargon rruge, jo vetëm që nuk duhet toleruar por duhet ndëshkuar, mbi të gjitha nga opinioni publik dhe nga gjithë ata qytetarë LGBT të cilët kanë patur fatin e keq të ndjekin atë debat. Janë të panumërt shqiptarët, gra, burra, LGBT ose jo, të cilët duhet të jetojnë nën zgjedhën e roleve gjinore dhe sociale dhe shtypjen që burron prej tyre. Por më shokuese është të dëgjosh, njerëz të privilegjuar nga sistemet komuniste dhe pluraliste të flasin më një gjuhë të patolerueshme edhe për një analfabet.

Z. Solis bën gabimin e madh që ofendon profesionin e tij. Mjekë si ai, në çdo cep të botës luftojnë për barazi gjinore, për tolerancë dhe respekt të minoriteteve seksuale, shpëtojnë viktima të luftës në vendet më të rrezikshme, luftojnë kundër mutilacioneve të vajzave të vogla në Afrikë dhe janë duke shërbyer në vatrat më të nxehta të Ebolës dhe viruseve të tjera. Mjekë europianë dhe amerikanë janë duke harxhuar vite studime për të hedhur poshtë tezat e kalbura të rregjimeve të shekullit të 20-të për të depatologjizuar trupin e femrës, për të çliruar personat LGBT nga diskriminimi dhe për të dhënë përgjigje për tema komplekse. Ata flasin me një kujdes të jashtëzakonshëm duke qenë të vetëdijshëm për impaktin që ka çdo fjalë dhe mendim i tyre. Mjekët tanë ashtu si Z. Solis e kanë më të lehtë të merren me llogje kafenesh, duke na bombarduar me stereotipe gjinore dhe seksuale që nuk synojnë gjë tjetër veçse ti garantojnë atij statusin e paprekëshëm si mashkull, i bardhë, heteroseksual dhe i privilegjuar.