Wednesday, October 15, 2014

Jo vetëm futboll



Është mëse e qartë që në çdo cep të territoreve ku banojnë shqiptarë dhe në çdo cep të trojeve ku banojnë serbë, ndeshja Shqipëri-Serbi zhvilluar në kuadër të lojërave eliminatore të Kampionatit Europian të futbollit, nuk ishte vetëm dhe thjesht një ndeshje futbolli. Në forma të ndryshme, ajo manifestoi më shumë se sa një listë llogarish të bëra keq të UEFA-s FSHF-së dhe FSHS-së. A munden dy vende si Shqipëria dhe Serbia, me kaq pak komunikim të ndërsjelltë dhe një histori të vjetër të luajë “thjesht futboll”? Në mënyrë të hidhur mësuam mbrëmë se përgjigja është Jo!

Që në minutat e para të transmetimit të ndeshjes në ekranet shqiptare ndihej tensioni mbytës. Ishte si një takim kaotik legjendash, mitesh, fotografish të lëvizshme. Ato bëhen bashkë gati në formë sureale, përplasen në të njëjtën ëndër-manth, dhe rrisin adrenalinën. Merrje apo nuk merrje vesh nga futbolli, nuk mund të mos kaploheshe nga një ndjenjë e fortë ankthi por edhe pyetje gati naïve; Kush është Serbia, çfarë është Serbia? Dhe rrishtaz, gjatë këtyre pyetjeve të shumë shqiptarëve në Shqipëri, manifestohet në ekran një urrejtje kolektive thuajse e pa-imagjinueshme. Ne shqiptarët e Shqipërisë, të mësuar me ksenofobinë greke, më snobizmin italan kam idenë nuk kishim parë deri mbrëmë diçka më të fuqishme dhe të egër që të na prekte aq shumë emocionalisht. Por kam dyshimet e mia serioze se kjo ka qenë një ndjesi vetëm e jona këtu në Shqipëri. Për shqiptarët e ish-Jugosllavisë, kjo ndeshje ka qenë diçka tjetër. Beogradi ka qenë qendra e persekutimit të tyre gati 100 vjeçar. Beogradi dhe Serbia janë simbol i mos-realizimit të endrave të tyre sa romantike aq realiste për të qenë një komb, një shtet, një vend me Shqipërinë. Për ta Serbia, Jugosllavia kanë qenë për arsye shumë të drejta burimi i vuajtjes, poshtërimit, trajtimit fyes dhe përçmues. Ky ishte një leksion i vogël, i rradhës, që ne shqiptarët e Shqipërisë morrëm mbrëmë: kultura kolektive , historia mbizotërouan sërish përpara objektivave madhore civilizuese të partnerëve ndërkombëtarë perëndimorë, miqve të Shqipërisë, Serbisë dhe gjithë Ballkanit dhe axhendave të tyre. Për shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës etj ishte më e qartë se sa për Federatën Shqiptare të Futboolit, refuzimi nga Federata Serbe e mikpritjes së tifozëve shqiptarë në Beograd. 

Qeveria serbe, njohëse e vetvetes, elementëve të saj të rrezikshëm, anti-shqiptarizmin, racizmin dhe ksenofobinë  nuk pranoi kurrsesi tifozë shqiptarë në Beograd. Kërkesat ishin të shumta dhe absurde, dhe mesa kuptohet u bënë kompromise, që kam idenë për FSHF-në dhe enturazhin e VIP-ave që i shoqëronte, ishin një listë lëshimesh që duheshin bërë për hir të sportit dhe në funksion të tij. Këtë për mua e konfirmoi habia e gjithë reporterëve dhe personaliteteve shqiptarë që ishin aty. Ata kanë përshkruar habinë, tmerrin dhe presionin psikologjik që ndien mbi vete dhe mbi lojtarët. Këto pak fakte vetëm tregojnë më së miri se si vullneti i politikës së sotme shqiptare për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Serbinë, nuk është aq i bazuar në një bindje konkrete, reciproke të Shqipërisë dhe Serbisë për të normalizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet e tyre, më shumë se sa një farë objektivi, deri diku idealist në rastin e Shqipërisë, për të ecur mirëfilli përpara në një rajon të sfilitur nga ndasitë. Por reagimet gati shokuese të faktorit politik serb, jam i bindur kanë skandalizuar jo pak shqiptarë këtu në Shqipëri. Theksoj këtu në Shqipëri, dhe jo shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Për këta të fundit Serbia është një realitet i prekshëm deri në detaje të tilla si fryma, kultura, dhe kompleksi i superioritetit të serbëve ndaj shqiptarëve. Mbrëme u pa edhe mendimi modern e bashkëkohor i Serbisë për Shqipërinë. Retorika e shëmtuar dhe rrishtazi e shfaqur në mediat serbe dhe ndërkombëtare e Dacic, Vucic, FSHS dhe gjithë viç-ave të tjerë, tregonte një frymë gjuhe që Shqipëria e këtyrë 25 viteve nuk e ka përdorur kurrë ndaj asnjë vendi, shteti, kombi a populli por as edhe nuk e ka hasur ti bëhet nga kombe e vende të tjerë. 

Pala shqiptare në anën tjetër, me ato pak deklarata, komente dhe reagime sa të Kryeministrit Rama, Ministrit Bushati dhe protagonistëve të ditës pas ndeshjes, tregojnë një tjetër realitet. Ky realitet nuk është thjesht një maturi apo ecje me hapa të sigurtë, por manifeston një gati-gati stepje të shtetit shqiptar për të vepruar me zgjuarsi, dinamizëm dhe qytetari ndaj incidentit të mbrëmshëm. Më shumë se sa maturi, reagimet e Ramës dhe Bushatit me terminologjinë “e turpshme, shokuese, jo-sportive” pra terma shumë diplomatikë dhe gati-gati sikur vinin nga zyra e shtypit të BE-së, nuk ngjasonin shumë me ato të Vukajt, Krasniqit dhe Thacit në Kosovë, që nuk kishin shumë rezerva për ngjarjet në stadium. Ata e njohin shumë më mire mentalitetin, kulturën dhe historinë e Serbisë dhe njohin në detaj mendimin e këtyre të fundit për ne shqiptarët, fakt që ne e mësuam në formë shumë të hidhur mbrëmë. 

Ne, këta “ekstremistë që duam të prishim imazhin e Serbisë”, sipas Daçiç, pra ne shqiptarët këtu në Shqipëri, u futëm kështu në këtë 15 Tetor 2014, një hap më shumë në gjellën ballkanike. Por zgjuarsia jonë duhet të qëndrojë në gjakftohtësinë tonë. Nëse për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Preshevë a kudo tjetër, Serbia është ajo çka Serbia është, për Shqipërinë, ajo distancë historike përbën deri diku një avantazh që duhet shfrytëzuar. Se si, kjo i takon shumë të tjerëve ta thonë por unë mendoj se disa hapa konkretë duhet të ndiqen.  

Konkretisht, Shqipëria duhet të punojë për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës, të ndihmojë në rritjen dhe mbrojtjen e mëtejshme të të drejtave dhe lirivë shpesh të përdhosura të shqiptarëve të Maqedonisë, të punojë me zell në fuqizimin ekonomik të Shqipërisë dhe të rrisë urat fizike dhe politike të komunikimit ekonomik dhe kulturor me të gjithë rajonin. Të luftojë për rritjen dhe futjen e arsimit, kulturës dhe qytetërimit në çdo qytet e fshat shqip-folës. Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet të humbasë kohë me lojëra.
Pjesa që mua më prek dhe shqetëson më shumë është se në këto 14 orë që kam ndjekur me shumë vëmendje gjithë reagimet mediatike, vendase, rajonale e ndërkombëtare, nuk pashë dhe nuk dëgjova në asnjë moment të vihej në dukje një aspekt, që unë do e ngre si pyetje: A mos vallë ai mini-helikopter me flamurin etnik shqiptar, në vend që të ishte fyerje dhe tallje për nacionalizmin e frikshëm serb, ishte në fakt një fyerje e madhe për sakrificën e atyre 11 djemve shqiptarë që nën brohoritjet e 30.000 “tifozëve” dhe presionin e madh psikologjik dhe emocional arritën të jenë profesionistë të vërtetë?
Në mbyllje, shpresoj që shqiptarëve të mos u bëhet vonë më shumë se sa duhet  për vendimin e UEFA-s të datës 23 Tetor. UEFA ka bërë më shumë se një herë politikë shpesh duke thënë se politika nuk është punë e saj. Në deklaratat e Platini dhe UEFA-s u fol për zhdukje të racizmit sikur kjo të mos kishte ekzistuar në atë fushë të frikshme. Të mos përmendësh diçka nuk do të thoë se ajo nuk ekziston. Do të thotë të pretendosh me prepotencë se ne jemi disa dele që duhet të turremi pas një topi edhe kur kemi 30.000 njerëz që çirren si ujqër. Kjo për mua është një nga kontradiktat absurde të këtij shekulli mbi racizmin dhe ndasitë njërëzore. 

Cilido qoftë vendimi i UEFA-s djemtë e kombëtares shqiptare janë heronjtë e vërtetë të kësaj ngjarje të shëmtuar dhe uroj që të gjithë ata të kenë një të ardhme të begatë në profesionin që kanë zgjedhur, larg politikës djallëzore dhe të prapambëtur ballkanase.   

Thursday, May 22, 2014

Urrejtje dhe pro familjes?!

Mesa duket sllogani “Thuaj Po dashurisë” i këtij 17 Maji, që përkujton vendimin historik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të hequr homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve mendore, dhe rritja e vizibilitetit dhe pranisë së kauzës LGBT në shoqërinë shqiptare, ka prekur telat e homofobëve dhe individëve të tjerë të cilëve urrejtja u ka errësuar krejt logjikën dhe arsyen.

Edhe pse lëvizja LGBT i ka bazat te fakti që persona të këtij komuniteti vuajnë përjashtimin dhe dëbimin nga familja, pikërisht për shkak të diskriminimit dhe urrejtjes, këta njerëz dalin si pionerë të mbrojtjes së “familjes” dhe “vlerave të shëndosha” të kombit, pa qenë të aftë të artikulojnë se çfarë janë këto vlera, dhe si mundet një qytetar LGBT ti shkelë ato e të shkojë kundër tyre. Po, të pyesim njëherë, fakti që shoqëria shqiptare ka 24 vite që po vuan në mënyrë makabre shifra të larta divorci, dhune ekstreme fizike dhe emocionale, që zakonisht i paguajnë gratë dhe fëmijët, edhe për këto, fajet i kanë personat LGBT?

Këta pseudo-intelektualë nuk i ka dëgjuar kush të ngrejnë qoftë edhe gishtin për sistemin e cfilitur të drejtësisë dhe mbrojtjes së grave dhe fëmijëve nga dhuna, që edhe sot bredhin gjyqeve dhe rajoneve të policisë të traumatizuar dhe dhunuar në vetë gjirin e familjes së tyre. Këta pseudo-intelektualë, janë zakonisht të parët që ulen dhe “studiojnë” materiale që nga titulli lexojnë “përse homoseksualiteti është sëmundje” të gatshëm për të përkëdhelur dhe masturbuar sedrën, homofobinë dhe mosrehatinë e tyre personale si me seksin dhe gjininë e tyre ashtu edhe me ato të të tjerëve.

Këta pseudo-intelektualë kanë vuajtur bulizëm sepse dikur dikush ju ka thënë gej kur shkonin në shkollë, kanë qenë të shtypur në familjet e tyre, sepse puthjen e parë dhe emocionin e parë që kanë marrë nga dashuria e kanë ndarë vetëm me ditarët e tyre, të tmerruar se nëse do e merrte vesh dikush do i damkosnin si kurva dhe vagabondë. Këta pseudo-intelektualë lexonin fshehurazi Cvajgun, Oskar Wilde,  Floberin e të tjerë autorë perëndimorë, duke i trafikuar librat si të ishin armë shkatërrimi në masë, dhe sot këta kanë frikë nga e vërteta dhe nga realiteti që i rrethon.

Familja shqiptare, të nderuar “intelektualë” sedërllinj dhe  të panikosur, nuk po shkatërrohet dhe nuk është në krizë prej personave LGBT. Është hipokrizia e shoqërisë patriarkale dhe pa-aftësia e saj për tu njohur me realitetin dhe të vërtetën që po dëmton familjen, atë familje që ju e quani të shëndoshë, por  vetëm shëndoshë që nuk është.

Që ta dini ju të dashur intelektualë, personat LGBT në Shqipëri e në botë, nuk e kanë fare me qejf të jetojnë në cepat e shoqërisë, të përjashtuar në kopshte, shkolla, fusha sporti, mjedise pune dhe familje. Asnjë person nuk e ka me qejf ti mohoet dashuria familjare, shoqërore dhe kombëtare, për një “kapriçio” apo punë qejfi. Nëse do të ishte punë qejfi, njerëzit do e bënin atë me apo pa lejën tuaj, dhe do vazhdonin të jetonin në anonimitet për qejf të tyre. Kështu edhe ju do ishit shumë të qetë dhe të lumtur, dhe do vazhdonit të lexonit për Sodomën dhe Gomorrën si një luftë e fituar. Por ja që realiteti nuk është kështu. Ai realitet që ju me forcë e kundërshtoni, është fytyra e vërtetë e njerëzimit. Personat LGBT që kanë kaluar orë, muaj dhe vite vuajtje janë zgjuar nga gjumi dhe letargjia, dhe kanë folur me zemër të hapur e ndërgjegje me psikologë, mjekë, politikanë, shkencëtarë, prindër, miq dhe aktivistë. Ngadalë ata kanë mundur të njihen nga shoqëria që i rrethon si njerëz të zakonshëm, krejt normalë dhe të mërzitshëm me hallet dhe problemet e tyre, me dhimbjet e tyre të dhëmbëve, me hallin e notave të provimeve, me ankthin e puthjes së parë, me frikën nga tërmetet, me mallin për vëllain larg në mërgim e me të gjitha emocionet e tjera humane, të shenjta e të pastra nga të cilat ju me një energji të pakuptueshme doni tua hiqni.

Synimi juaj i çmendur është ti portrezitoni qytetarët LGBT si ca psikopatë të degjeneruar që bëjnë seks shkurreve, që hanë fëmijë dhe flasin me djallin, por ja që nuk është fare kështu. Personat LGBT, janë njerëz si gjithë të tjerët, të mërzitshëm, të zgjuar, budallej, të pasur, të varfër, të shkurtër, të gjatë dhe nuk kanë asnjë veti mbinjerëzore për tu krahasuar me ju. Rrjedhin gjak nëse u hap trupin, qajnë nëse i lendon, buzëqeshin nëse u fal dashuri.

Ju nuk do e kuptoni asnjëherë se sa shumë dëm dhe dhimbje shkakton urrejtja juaj, se sa plagë të pashëruara ajo hap në zemrat e shumë njerëzve që vazhdojnë të jenë të pa-aftë të jetojnë plotësisht jetën e tyre, të afirmohen në shoqëri, të shprehin dashurinë e tyre, të flasin për veten e tyre në mënyrë të çlirët që edhe ju të kuptoni se nuk vijnë as nga Hëna e as nga Marsi por janë fëmijë nënash e baballarëssh ashtu si ju, që gjeni kohë nga koha juaj e artë dhe e shenjtë të merreni me ta.

Shumë prej jush thoni se keni miq homoseksualë. Realisht po keni, madje edhe më shumë nga çmund të mendoni, por shumica e këtyre miqve tuaj homoseksualë jetojnë në dollap, vuajnë ende nga homofobia e tyre, janë ende të pa-aftë të pranojnë veten për atë çka janë, dhe vazhdojnë të mblesërohen në martesa heteroseksuale në mënyrë që ju ti lini të qetë e ata të vazhdojnë të jenë këngëtarë, prezantues, artistë, mjekë, politikanë, biznesmenë dhe njerëz të tjerë të shquar. Pastaj, pavarësisht këtyre martesave dhe atyre fotove të bukura pushimesh nëpër vende përrallore, ju dëgjoni se ai shoku gej dhe ajo shoqja lezbike, që janë të futur në martesa heteroseksuale, nuk na qënkërkan kaq të ndershëm, dhe se vazhdojnë të bëjnë jetë të shthurura dhe të kenë lidhje homoseksuale. Po pse çfarë prisni ju? Mendoni se ka njerëz me këllqe dhe kurajo të flasin për identitetin e tyre seksual dhe gjinor kur lexojnë peticione psikopate si ato që nënshkuani ju? Kështu, në mbrojtje të familjes, në fakt ju nuk bëni asgjë tjetër veçse u mohoni personave LGBT të drejtën që TA GËZOJNË TË DREJTËN E FAMILJES, për të hyrë edhe ata në lidhje të shëndosha, të vërteta dhe njerëzore, që të mos kenë kështu nevojë të pallohen kopshteve apo në dhoma hotelesh.

Ju mendoni se i dini arsyet përse dikush është homoseksual apo transgjinor, por në fakt nuk ia keni fare haberin. Pjesa më e madhe e urrejtjes dhe frikës suaj vjen nga vetë frikërat dhe perversionet tuaja, nga veprimet e juaja amorale dhe të pista, nga pislliqet që keni bërë duke tradhëtuar gratë dhe burrat tuaj, nga fobia dhe urrejtja që ju keni për monogaminë tuaj dhe për partnerët tuaj respektivë, dhe kështu doni ta shkarkoni atë urrejtje dhe atë mllef mbi njerëz që nuk kanë as autorësi dhe as përgjegjësi për veprimet tuaja. Krimi i tyre i vetëm është sinqeriteti i të pranuarit të realitetit për atë që është, në mënyrë që të mos jetojnë në hije, dhe të mos jetojnë kundër familjes e të mos ekzistojnë kundër shoqërisë.

Ju mendoni se të jesh LGBT është zgjidhje? Të dashur intelektualë, (duhet të ve thonjza sipër e di, por ju edhe kështu e keni sedren telef), zgjidhje është të shkosh te Kolonat ose tek Big Bite, ti lyesh flokët të verdha ose të kuqe, të pish verë të bardhe ose të kuqe. Zgjidhje nuk është të ndjesh për dikë emocione të forta njerëzore dhe humane dhe të tërhiqesh dhe dashurohesh në mënyrë respektive.

Homofobia dhe urrejtja juaj buron nga fakti i thjeshtë se ju nuk ja keni haberin fare që dy njerëz të gjinisë së njëjtë kanë ndjenja për njëri-tjetrin, që duan të kujdesen për njëri-tjetrin, që mund të duan edhe të vdesin me njëri-tjetrin. Halli juaj pervers dhe  tejet i shemtuar është se kush është “burri” dhe kush është “gruaja” në shtrat. Kush ia fut kujt, si ia fut dhe sa herë ja fut… Pa harruar fare se ju nuk ju shkon fare ndërmend se dy femra lezbike mund te jene shume te lumtura me njera tjetren dhe se nuk ju duhet asnje mashkull per tju dhene kenaqesi. Ju e keni hallin tek akti seksual, tek anusi, penisi dhe vagina. Këto janë shqetësimi juaj kryesor, dhe frikën e madhe e keni pikërisht te marrëdhënia e pashëndoshë dhe jo realiste që ju keni me organet seksuale. Kush do ketë ndonjehere kurajon tua thotë se janë thjesht anuse, penise dhe vagina? Se nuk janë gogolë dhe se nuk kafshojnë? Kush do tjua thotë ndonjëherë se vlerat morale të shoqërisë nuk kalibrohen duke u marrë me jetët private të njerëzve dhe se si ata i perdorin keto organe, por me sjelljen e tyre në shoqëri, me aftësinë e tyre për të kontribuar në jetë, për të bërë gjithçka, gjithçka, gjithçka, ashtu siç e bëni edhe ju?

Ju mendoni se homoseksualiteti është devijim mendor?  Kjo nuk e di nëse merriton përgjigje, por duke patur parasysh homofobinë tuaj të sëmurë, mendoj se e do një shpjegim. Devijim mendor është të shtypësh ndjenjat dhe emocionet e tua. Devijim mendor është të jetosh për të tjerët dhe të bësh sikur je hetero dhe të pelqen seksi i kundërt. Devijim mendor është të urresh njerëz vetëm sepse ata nuk kanë të njëjtat shije seksuale si ti. Devijim mendor është të rrefuzosh të njohësh realitetin për atë që është vetëm e vetëm për të ushqyer një ego të sëmurë dhe të çmendur.

Kur shkruani peticione, ju lutem na thoni. Kështu unë të paktën do t’ju bëja një listë shumë të gjatë: peticion për romët që jetojnë barakave, për fëmijë të vegjël që prostituohen dhe lypin rrugëve nga tutorë kriminele, mbi të cilët ju intelektualë dhe bosa ecni çdo ditë dhe normalisht nuk jua kap syri se i keni xhamat shumë të errët dhe ndjeshmërinë shumë të lartë, peticion për qindra gratë e dhunuara dhe të përdhunuara në Shqipëri, për fëmijët e ngujuar nga çmenduria nëpër kulla prehistorike, peticion për gjithë burimet natyrore dhe minerare që Shqipëria (si republikë banana që është) po ia fal botës, peticione për vajzat e rrëmbyera në Nigeri etj etj etj.

Ju dëshironi të ndërtoni një guaskë të qelqtë imagjinare, ku të gjithë do jemi heteroseksuale, ateistë, shqiptarë, me flamurin kuq e zi ne shpatull, dhe të brohorasim të gjithë Shqipëri. Do marrim kalamajat tonë të vegjël e do i shëtisim të parku, do shkojmë për pushime në bregdet e do pleqërojmë së bashku duke parë “E diela shqiptare”. Ju nuk pyesni asnjëherë çfarë po i ndodh ekzistëncës humane, se çfarë po i ndodh shpirtit dhe inteligjencës kolektive, për format e komplikuara, sublime dhe të shenjta me të cilat njerëzit po lidhen me njëri-tjetrin, sesi ata po i kapërcejnë kufijtë, po takohen e po flasin dhe po ndërtojnë një të ardhme më të ndritur e më të begatë për të gjithë njerëzimin. Mendja dhe fokusi juaj është vetëm tek apokalipsi, vdekja dhe shkaterrimi sepse aq të ndrydhura dhe të dhunuara i keni ekzistencat tuaja.

“Thuaj Po dashurisë” ju lëndon dhe pengon pa masë, sepse urrejtja juaj, ju ka verbuar shikimin, shurdhuar dëgjimin dhe ngurtësuar zemren.

Friday, March 28, 2014

Pështyma tiranie

Duhet të linim pas dhomat e mbushura me tym sepse atje ishin bërë bashkë shumë njerëz e shumë kujtime. Si pështjellime frymëmarrëse, copëza ankthi të fërkuara në letrat e lagura të birrave të ftohta. Një asfiksim i ngadaltë me dridhje përpëlitëse, trembje e qëllimtë, kur njëra dorë i afrohet belit tjetër. Bebëzat me ngjyrat e ylberit takohen, buzët mblidhen butësisht dhe flirtojnë pa turp.  

Duke gjetur pallton në errësirë, me tymin që prek lëkurën dhe djersë humane që mbysin ajrin, tëposhtë shkallëve dhe vrap në rrugën me baltë. Drita të verbëra shtëpish prapanike, që vëzhgojnë të pafuqishme si erosi merr jetë në beton. Ajo nuk është puthje, por është rrebesh i dhunshëm që tërheq përfund gjithë qelizat e vdekura.

Fjalët, sa të lëkundshme përpara duarve që prekin buzën, gjuhës që lag gjuhën, epshit vrasës që mbyt zhurmat. Ditët e vdekura të zbrazëtisë janë të fshehura pas çdo prekje dhe ledhatimi. Çdo fjalë i mer frymën erosit, çdo qelizë e humbëtirës përreth përdhunon prekjet! 

Nuk ka eros, ka vetëm beton përdhunues!  

A journey into abstract

Lets chase the sun after the moonlight
Human connectivity is techno liquid
I dreamed an instant of erotica
Goodbye was never uttered

Then all air was lost and death was visual
Brainwaves multiplied and chaos became the universe
I dreamed an instant of coming
Goodnight and touch the freezing floor

I killed an insect when I could have made it a photograph
Then air became cold and darkness said goodnight

Wednesday, February 26, 2014

Zhgënjimi nga Soçi

Dëshiroj të falenderoj dhe përgëzoj mikun dhe kolegun tim Ikhtisad Ahmed, për punën dhe mbështetjen e tij ndaj kauzës LGBT dhe për analizën e qënësishme që i bën situatës globale të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe garantimit të barazisë.

Më poshtë shkrimi i plotë:


nga Ikhtisad Ahmed

Publiku ndërkombëtar duhet të ishte indinjuar nga ligjet e padrejta të Putin kundër minoriteteve dhe opozitës politika, por çka u panë ishin tifozeritë injorante dhe indiferente.

Në të njëjtën kohë, ndërsa në Kiev kishin shpërthyer protestat e përgjakshme kundër rregjimit të Janukovic, kilometra më tej, në Soçi shtrohej skena për parakalimin e atletëve profesionistë dhe gatiteshin mjediset për demonstrimin e talenteve të ndryshme në dëborë dhe akull. Arritjet e atletëve festoheshin nga turma të pandikuara nga protestat që ndodhnin në vendin fqinj i cili pa një popull të tërë të triumfojë.

Gjërat duhet të ishin ndryshe. Publiku, popujt, mediat etj duhet të ishin indinjuar nga ligjet drakoniane të Putinit dhe jo të festonin apo të tregoheshin indiferentë ndaj këtyre padrejtësive.

Kundërshtuesit më të zhurmshëm të lojrave olimpike të Soçit, ishin amerikanët të cilët i kushtuan vëmendje të veçantë ligjeve anti-gay të Rusisë. Por si me çdo gjë tjetër amerikane, tmerri, shoku dhe denoncimi i asaj çka ka bërë Putin tingëlloi shumë hipokrit. Fshehur pas dëshirës për të thënë gjënë e duhur qëndronte një refuzim i pakompromistë për të bërë gjënë e duhur.

Në mënyrë sekrete, politikanë të ndryshëm amerikanë mbështesnin synimin e Putin për ta shndërruar në politike një çështje sociale dhe humane. ShBA-të janë vendi ku martesat gay kanë avancuar por njëkohësisht edhe vendi i Aktit për Mbrojten e Martesave (heteroseksuale), çka tregon tendencën për të kundërshtuar dhe mos-miratuar një nga doktrinat e të drejtave të njeriut të cilën ajo e mbron me fanatizëm nëpër të gjithë botën.

Politika e britanikëve ka qenë edhe më e pa-sinqertë. David Kamerun miratoi Aktin e Martesave Gej në vitin 2013 pavarësisht përpjekjeve të partisë së tij për sabotim – 136 prej tyre e kundërshtuan këtë ligj, 35 nuk votuan dhe 5 abstenuan. Fatmirësisht krahu tjetër i sallës dhe anëtarët e koalicionit ishin vendosmërisht më humanë.

Pavarësisht kësaj, Partia Konservatore e braktisi liderin e saj në një nga përpjekjet e tij të rralla humaniste. Kryeministri i shtyu anëtarët e partisë së tij të jenë më të dedikuar ndaj të drejtave të njeriut dhe disi më të hapur ndaj barazizë. Ajo çka bënë anëtarët e saj ishtë një largim ndaj këtyre standarteve në një mënyrë shumë të ngjashme me republikanët amerikanë.

Shoqeria civile, organizatat për të drejtat e njeriut dhe OJF-të e tjera kanë rolin e tyre për të luajtur në avancimin e të drejtave të njeriut. Është tragjik fakti që në botën ku jetojmë të drejtat e njeriut duhet të imponohen në vend që të mbrohen dhe ruhen në mënyrë të pa-kushtëzuar.

Axhenda dhe planifikimi i shumë prej këtyre organizatave është i kushtëzuar nga fondet që marrin dhe burimet e tyre. Kjo i bën ata të lidhur ndaj grupeve të caktuara të interesit dhe të jenë vulnerabël ndaj kundërshtimeve për vetë punën që ata bëjnë dhe të jenë kreativë në gjetjen e politikave dhe praktikave më të mira për të tërhequr këto fonde. Në të tilla kushte e vetmja gjë e mirë që mund të ndodhë është nëse qeveritë tregojnë aftësi për ti shërbyer njerëzve të tyre. SHBA-të, Rusia dhe Britania kanë dështuar në këto përpjekje.
India nuk ka qenë më mirë në këto përpjekje. Në vitin 2009, Gjykata e Lartë anuloi nenin 377 të Kodit Penal, i cili dikur ishte imponuar nga kolonizatori britanik dhe që kriminalizonte sjelljet homoseksuale. Homoseksualiteti u dekriminalizua, duke dhënë shpresë për ndryshim në të gjithë territorin. Përpjekjet e heshtura për të bërë të tilla ndryshime në të gjithë rajonin u shuan në vitin 2013 kur Gjykata Supreme e Indisë vendosi ta rrëzojë vendimin e mëparshëm, duke ruajtur kështu status kuonë e pa-barazisë në Indi.

Një hap pozitiv është ndërmarrë së fundmi nga Bangladeshi për të garantuar të drejtat e hixhrave (ang. hijras), si gjinia e tretë në vend. Si një vend konservator ky vendim nuk do kishte patur mbështetje të madhe jashtë rretheve borgjeze të vendit.  Një sondazh i zhvilluar së fundmi tregoi se publiku nuk e mbështeste këtë hap. Gjithsesi projektligji u miratua dhe si i tillë ishte një hap pozitiv në drejtimin e duhur. Një argument kundërshtues do ishte se barazia, njihet nga Kushtetuta dhe si e tillë nuk ka nevojë për ligje specifike që ta konfirmojnë apo imponojnë.

Fatkeqësisht, pabarazia në Bangladesh është shumë e pranishme dhe miratimi i ligjeve që e luftojnë atë janë minimumi që mund të bëhet. Kështu, qeveria do kishte rrezikuar të përballonte inatin dhe sulmet e shtresave të larta dhe të mesme nëse ligjet do ndryshonin për t’i garantuar më shumë të ardhura pjesës më të madhe të popullsisë që kategorizohen si klasa e ulët.

Surpriza e vetme është se ata që luftojnë për më shumë të drejta dhe barazi në shoqërinë e Bangladeshit nuk kanë kërkuar për zgjerimin dhe njohjen e të drejtave edhe për grupe të tjera. Mbase ata kanë bërë sondazhe.

--- --- ---