Wednesday, October 15, 2014

Jo vetëm futboll



Është mëse e qartë që në çdo cep të territoreve ku banojnë shqiptarë dhe në çdo cep të trojeve ku banojnë serbë, ndeshja Shqipëri-Serbi zhvilluar në kuadër të lojërave eliminatore të Kampionatit Europian të futbollit, nuk ishte vetëm dhe thjesht një ndeshje futbolli. Në forma të ndryshme, ajo manifestoi më shumë se sa një listë llogarish të bëra keq të UEFA-s FSHF-së dhe FSHS-së. A munden dy vende si Shqipëria dhe Serbia, me kaq pak komunikim të ndërsjelltë dhe një histori të vjetër të luajë “thjesht futboll”? Në mënyrë të hidhur mësuam mbrëmë se përgjigja është Jo!

Që në minutat e para të transmetimit të ndeshjes në ekranet shqiptare ndihej tensioni mbytës. Ishte si një takim kaotik legjendash, mitesh, fotografish të lëvizshme. Ato bëhen bashkë gati në formë sureale, përplasen në të njëjtën ëndër-manth, dhe rrisin adrenalinën. Merrje apo nuk merrje vesh nga futbolli, nuk mund të mos kaploheshe nga një ndjenjë e fortë ankthi por edhe pyetje gati naïve; Kush është Serbia, çfarë është Serbia? Dhe rrishtaz, gjatë këtyre pyetjeve të shumë shqiptarëve në Shqipëri, manifestohet në ekran një urrejtje kolektive thuajse e pa-imagjinueshme. Ne shqiptarët e Shqipërisë, të mësuar me ksenofobinë greke, më snobizmin italan kam idenë nuk kishim parë deri mbrëmë diçka më të fuqishme dhe të egër që të na prekte aq shumë emocionalisht. Por kam dyshimet e mia serioze se kjo ka qenë një ndjesi vetëm e jona këtu në Shqipëri. Për shqiptarët e ish-Jugosllavisë, kjo ndeshje ka qenë diçka tjetër. Beogradi ka qenë qendra e persekutimit të tyre gati 100 vjeçar. Beogradi dhe Serbia janë simbol i mos-realizimit të endrave të tyre sa romantike aq realiste për të qenë një komb, një shtet, një vend me Shqipërinë. Për ta Serbia, Jugosllavia kanë qenë për arsye shumë të drejta burimi i vuajtjes, poshtërimit, trajtimit fyes dhe përçmues. Ky ishte një leksion i vogël, i rradhës, që ne shqiptarët e Shqipërisë morrëm mbrëmë: kultura kolektive , historia mbizotërouan sërish përpara objektivave madhore civilizuese të partnerëve ndërkombëtarë perëndimorë, miqve të Shqipërisë, Serbisë dhe gjithë Ballkanit dhe axhendave të tyre. Për shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës etj ishte më e qartë se sa për Federatën Shqiptare të Futboolit, refuzimi nga Federata Serbe e mikpritjes së tifozëve shqiptarë në Beograd. 

Qeveria serbe, njohëse e vetvetes, elementëve të saj të rrezikshëm, anti-shqiptarizmin, racizmin dhe ksenofobinë  nuk pranoi kurrsesi tifozë shqiptarë në Beograd. Kërkesat ishin të shumta dhe absurde, dhe mesa kuptohet u bënë kompromise, që kam idenë për FSHF-në dhe enturazhin e VIP-ave që i shoqëronte, ishin një listë lëshimesh që duheshin bërë për hir të sportit dhe në funksion të tij. Këtë për mua e konfirmoi habia e gjithë reporterëve dhe personaliteteve shqiptarë që ishin aty. Ata kanë përshkruar habinë, tmerrin dhe presionin psikologjik që ndien mbi vete dhe mbi lojtarët. Këto pak fakte vetëm tregojnë më së miri se si vullneti i politikës së sotme shqiptare për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Serbinë, nuk është aq i bazuar në një bindje konkrete, reciproke të Shqipërisë dhe Serbisë për të normalizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet e tyre, më shumë se sa një farë objektivi, deri diku idealist në rastin e Shqipërisë, për të ecur mirëfilli përpara në një rajon të sfilitur nga ndasitë. Por reagimet gati shokuese të faktorit politik serb, jam i bindur kanë skandalizuar jo pak shqiptarë këtu në Shqipëri. Theksoj këtu në Shqipëri, dhe jo shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Për këta të fundit Serbia është një realitet i prekshëm deri në detaje të tilla si fryma, kultura, dhe kompleksi i superioritetit të serbëve ndaj shqiptarëve. Mbrëme u pa edhe mendimi modern e bashkëkohor i Serbisë për Shqipërinë. Retorika e shëmtuar dhe rrishtazi e shfaqur në mediat serbe dhe ndërkombëtare e Dacic, Vucic, FSHS dhe gjithë viç-ave të tjerë, tregonte një frymë gjuhe që Shqipëria e këtyrë 25 viteve nuk e ka përdorur kurrë ndaj asnjë vendi, shteti, kombi a populli por as edhe nuk e ka hasur ti bëhet nga kombe e vende të tjerë. 

Pala shqiptare në anën tjetër, me ato pak deklarata, komente dhe reagime sa të Kryeministrit Rama, Ministrit Bushati dhe protagonistëve të ditës pas ndeshjes, tregojnë një tjetër realitet. Ky realitet nuk është thjesht një maturi apo ecje me hapa të sigurtë, por manifeston një gati-gati stepje të shtetit shqiptar për të vepruar me zgjuarsi, dinamizëm dhe qytetari ndaj incidentit të mbrëmshëm. Më shumë se sa maturi, reagimet e Ramës dhe Bushatit me terminologjinë “e turpshme, shokuese, jo-sportive” pra terma shumë diplomatikë dhe gati-gati sikur vinin nga zyra e shtypit të BE-së, nuk ngjasonin shumë me ato të Vukajt, Krasniqit dhe Thacit në Kosovë, që nuk kishin shumë rezerva për ngjarjet në stadium. Ata e njohin shumë më mire mentalitetin, kulturën dhe historinë e Serbisë dhe njohin në detaj mendimin e këtyre të fundit për ne shqiptarët, fakt që ne e mësuam në formë shumë të hidhur mbrëmë. 

Ne, këta “ekstremistë që duam të prishim imazhin e Serbisë”, sipas Daçiç, pra ne shqiptarët këtu në Shqipëri, u futëm kështu në këtë 15 Tetor 2014, një hap më shumë në gjellën ballkanike. Por zgjuarsia jonë duhet të qëndrojë në gjakftohtësinë tonë. Nëse për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Preshevë a kudo tjetër, Serbia është ajo çka Serbia është, për Shqipërinë, ajo distancë historike përbën deri diku një avantazh që duhet shfrytëzuar. Se si, kjo i takon shumë të tjerëve ta thonë por unë mendoj se disa hapa konkretë duhet të ndiqen.  

Konkretisht, Shqipëria duhet të punojë për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës, të ndihmojë në rritjen dhe mbrojtjen e mëtejshme të të drejtave dhe lirivë shpesh të përdhosura të shqiptarëve të Maqedonisë, të punojë me zell në fuqizimin ekonomik të Shqipërisë dhe të rrisë urat fizike dhe politike të komunikimit ekonomik dhe kulturor me të gjithë rajonin. Të luftojë për rritjen dhe futjen e arsimit, kulturës dhe qytetërimit në çdo qytet e fshat shqip-folës. Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet të humbasë kohë me lojëra.
Pjesa që mua më prek dhe shqetëson më shumë është se në këto 14 orë që kam ndjekur me shumë vëmendje gjithë reagimet mediatike, vendase, rajonale e ndërkombëtare, nuk pashë dhe nuk dëgjova në asnjë moment të vihej në dukje një aspekt, që unë do e ngre si pyetje: A mos vallë ai mini-helikopter me flamurin etnik shqiptar, në vend që të ishte fyerje dhe tallje për nacionalizmin e frikshëm serb, ishte në fakt një fyerje e madhe për sakrificën e atyre 11 djemve shqiptarë që nën brohoritjet e 30.000 “tifozëve” dhe presionin e madh psikologjik dhe emocional arritën të jenë profesionistë të vërtetë?
Në mbyllje, shpresoj që shqiptarëve të mos u bëhet vonë më shumë se sa duhet  për vendimin e UEFA-s të datës 23 Tetor. UEFA ka bërë më shumë se një herë politikë shpesh duke thënë se politika nuk është punë e saj. Në deklaratat e Platini dhe UEFA-s u fol për zhdukje të racizmit sikur kjo të mos kishte ekzistuar në atë fushë të frikshme. Të mos përmendësh diçka nuk do të thoë se ajo nuk ekziston. Do të thotë të pretendosh me prepotencë se ne jemi disa dele që duhet të turremi pas një topi edhe kur kemi 30.000 njerëz që çirren si ujqër. Kjo për mua është një nga kontradiktat absurde të këtij shekulli mbi racizmin dhe ndasitë njërëzore. 

Cilido qoftë vendimi i UEFA-s djemtë e kombëtares shqiptare janë heronjtë e vërtetë të kësaj ngjarje të shëmtuar dhe uroj që të gjithë ata të kenë një të ardhme të begatë në profesionin që kanë zgjedhur, larg politikës djallëzore dhe të prapambëtur ballkanase.