Është mëse e qartë që në çdo cep
të territoreve ku banojnë shqiptarë dhe në çdo cep të trojeve ku banojnë serbë,
ndeshja Shqipëri-Serbi zhvilluar në kuadër të lojërave eliminatore të
Kampionatit Europian të futbollit, nuk ishte vetëm dhe thjesht një ndeshje
futbolli. Në forma të ndryshme, ajo manifestoi më shumë se sa një listë llogarish
të bëra keq të UEFA-s FSHF-së dhe FSHS-së. A munden dy vende si Shqipëria dhe
Serbia, me kaq pak komunikim të ndërsjelltë dhe një histori të vjetër të luajë “thjesht
futboll”? Në mënyrë të hidhur mësuam mbrëmë se përgjigja është Jo!
Që në minutat e para të
transmetimit të ndeshjes në ekranet shqiptare ndihej tensioni mbytës. Ishte si
një takim kaotik legjendash, mitesh, fotografish të lëvizshme. Ato bëhen bashkë
gati në formë sureale, përplasen në të njëjtën ëndër-manth, dhe rrisin
adrenalinën. Merrje apo nuk merrje vesh nga futbolli, nuk mund të mos
kaploheshe nga një ndjenjë e fortë ankthi por edhe pyetje gati naïve; Kush është
Serbia, çfarë është Serbia? Dhe rrishtaz, gjatë këtyre pyetjeve të shumë
shqiptarëve në Shqipëri, manifestohet në ekran një urrejtje kolektive thuajse e
pa-imagjinueshme. Ne shqiptarët e Shqipërisë, të mësuar me ksenofobinë greke, më
snobizmin italan kam idenë nuk kishim parë deri mbrëmë diçka më të fuqishme dhe
të egër që të na prekte aq shumë emocionalisht. Por kam dyshimet e mia serioze
se kjo ka qenë një ndjesi vetëm e jona këtu në Shqipëri. Për shqiptarët e
ish-Jugosllavisë, kjo ndeshje ka qenë diçka tjetër. Beogradi ka qenë qendra e
persekutimit të tyre gati 100 vjeçar. Beogradi dhe Serbia janë simbol i
mos-realizimit të endrave të tyre sa romantike aq realiste për të qenë një
komb, një shtet, një vend me Shqipërinë. Për ta Serbia, Jugosllavia kanë qenë për
arsye shumë të drejta burimi i vuajtjes, poshtërimit, trajtimit fyes dhe përçmues.
Ky ishte një leksion i vogël, i rradhës, që ne shqiptarët e Shqipërisë morrëm
mbrëmë: kultura kolektive , historia mbizotërouan sërish përpara objektivave
madhore civilizuese të partnerëve ndërkombëtarë perëndimorë, miqve të Shqipërisë,
Serbisë dhe gjithë Ballkanit dhe axhendave të tyre. Për shqiptarët e Maqedonisë,
Kosovës etj ishte më e qartë se sa për Federatën Shqiptare të Futboolit,
refuzimi nga Federata Serbe e mikpritjes së tifozëve shqiptarë në Beograd.
Qeveria serbe, njohëse e
vetvetes, elementëve të saj të rrezikshëm, anti-shqiptarizmin, racizmin dhe
ksenofobinë nuk pranoi kurrsesi tifozë
shqiptarë në Beograd. Kërkesat ishin të shumta dhe absurde, dhe mesa kuptohet u
bënë kompromise, që kam idenë për FSHF-në dhe enturazhin e VIP-ave që i shoqëronte,
ishin një listë lëshimesh që duheshin bërë për hir të sportit dhe në funksion
të tij. Këtë për mua e konfirmoi habia e gjithë reporterëve dhe personaliteteve
shqiptarë që ishin aty. Ata kanë përshkruar habinë, tmerrin dhe presionin
psikologjik që ndien mbi vete dhe mbi lojtarët. Këto pak fakte vetëm tregojnë më
së miri se si vullneti i politikës së sotme shqiptare për të ndërtuar marrëdhënie
të mira me Serbinë, nuk është aq i bazuar në një bindje konkrete, reciproke të
Shqipërisë dhe Serbisë për të normalizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet e tyre, më
shumë se sa një farë objektivi, deri diku idealist në rastin e Shqipërisë, për
të ecur mirëfilli përpara në një rajon të sfilitur nga ndasitë. Por reagimet
gati shokuese të faktorit politik serb, jam i bindur kanë skandalizuar jo pak
shqiptarë këtu në Shqipëri. Theksoj këtu në Shqipëri, dhe jo shqiptarët e
ish-Jugosllavisë. Për këta të fundit Serbia është një realitet i prekshëm deri
në detaje të tilla si fryma, kultura, dhe kompleksi i superioritetit të serbëve
ndaj shqiptarëve. Mbrëme u pa edhe mendimi modern e bashkëkohor i Serbisë për
Shqipërinë. Retorika e shëmtuar dhe rrishtazi e shfaqur në mediat serbe dhe ndërkombëtare
e Dacic, Vucic, FSHS dhe gjithë viç-ave të tjerë, tregonte një frymë gjuhe që
Shqipëria e këtyrë 25 viteve nuk e ka përdorur kurrë ndaj asnjë vendi, shteti,
kombi a populli por as edhe nuk e ka hasur ti bëhet nga kombe e vende të tjerë.
Pala shqiptare në anën tjetër, me
ato pak deklarata, komente dhe reagime sa të Kryeministrit Rama, Ministrit
Bushati dhe protagonistëve të ditës pas ndeshjes, tregojnë një tjetër realitet.
Ky realitet nuk është thjesht një maturi apo ecje me hapa të sigurtë, por
manifeston një gati-gati stepje të shtetit shqiptar për të vepruar me zgjuarsi,
dinamizëm dhe qytetari ndaj incidentit të mbrëmshëm. Më shumë se sa maturi,
reagimet e Ramës dhe Bushatit me terminologjinë “e turpshme, shokuese,
jo-sportive” pra terma shumë diplomatikë dhe gati-gati sikur vinin nga zyra e
shtypit të BE-së, nuk ngjasonin shumë me ato të Vukajt, Krasniqit dhe Thacit në
Kosovë, që nuk kishin shumë rezerva për ngjarjet në stadium. Ata e njohin shumë
më mire mentalitetin, kulturën dhe historinë e Serbisë dhe njohin në detaj
mendimin e këtyre të fundit për ne shqiptarët, fakt që ne e mësuam në formë
shumë të hidhur mbrëmë.
Ne, këta “ekstremistë që duam të
prishim imazhin e Serbisë”, sipas Daçiç, pra ne shqiptarët këtu në Shqipëri, u
futëm kështu në këtë 15 Tetor 2014, një hap më shumë në gjellën ballkanike. Por
zgjuarsia jonë duhet të qëndrojë në gjakftohtësinë tonë. Nëse për shqiptarët në
Kosovë, Maqedoni, Preshevë a kudo tjetër, Serbia është ajo çka Serbia është, për
Shqipërinë, ajo distancë historike përbën deri diku një avantazh që duhet
shfrytëzuar. Se si, kjo i takon shumë të tjerëve ta thonë por unë mendoj se
disa hapa konkretë duhet të ndiqen.
Konkretisht, Shqipëria duhet të
punojë për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës, të ndihmojë në rritjen
dhe mbrojtjen e mëtejshme të të drejtave dhe lirivë shpesh të përdhosura të
shqiptarëve të Maqedonisë, të punojë me zell në fuqizimin ekonomik të Shqipërisë
dhe të rrisë urat fizike dhe politike të komunikimit ekonomik dhe kulturor me të
gjithë rajonin. Të luftojë për rritjen dhe futjen e arsimit, kulturës dhe qytetërimit
në çdo qytet e fshat shqip-folës. Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet të humbasë
kohë me lojëra.
Pjesa që mua më prek dhe shqetëson
më shumë është se në këto 14 orë që kam ndjekur me shumë vëmendje gjithë
reagimet mediatike, vendase, rajonale e ndërkombëtare, nuk pashë dhe nuk dëgjova
në asnjë moment të vihej në dukje një aspekt, që unë do e ngre si pyetje: A mos
vallë ai mini-helikopter me flamurin etnik shqiptar, në vend që të ishte fyerje
dhe tallje për nacionalizmin e frikshëm serb, ishte në fakt një fyerje e madhe
për sakrificën e atyre 11 djemve shqiptarë që nën brohoritjet e 30.000 “tifozëve”
dhe presionin e madh psikologjik dhe emocional arritën të jenë profesionistë të
vërtetë?
Në mbyllje, shpresoj që shqiptarëve
të mos u bëhet vonë më shumë se sa duhet
për vendimin e UEFA-s të datës 23 Tetor. UEFA ka bërë më shumë se një
herë politikë shpesh duke thënë se politika nuk është punë e saj. Në deklaratat
e Platini dhe UEFA-s u fol për zhdukje të racizmit sikur kjo të mos kishte
ekzistuar në atë fushë të frikshme. Të mos përmendësh diçka nuk do të thoë se
ajo nuk ekziston. Do të thotë të pretendosh me prepotencë se ne jemi disa dele
që duhet të turremi pas një topi edhe kur kemi 30.000 njerëz që çirren si ujqër.
Kjo për mua është një nga kontradiktat absurde të këtij shekulli mbi racizmin
dhe ndasitë njërëzore.
Cilido qoftë vendimi i UEFA-s
djemtë e kombëtares shqiptare janë heronjtë e vërtetë të kësaj ngjarje të
shëmtuar dhe uroj që të gjithë ata të kenë një të ardhme të begatë në
profesionin që kanë zgjedhur, larg politikës djallëzore dhe të prapambëtur
ballkanase.
No comments:
Post a Comment